Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori i Kinës në Shqipëri, takime lamtumire me kryeministrin Rama dhe kryeparlamentaren Nikolla
2023-03-22 23:00

Ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, që përfundon së shpejti mandatin e tij, zhvilloi të mërkurën takime lamtumire me zyrtarët kryesorë të Shqipërisë, si kryeministri Edi Rama, kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, zv.kryeministrja Belinda Balluku, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro. 

Ambasadori Zhou u shpreh në këto takime që, pak kohë më parë, u zhvillua në Kinë sesioni i parë i legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, ku u zgjodhën liderët e organeve shtetërore të vendit. Kina është e gatshme të shtojë bashkërendimin me palën shqiptare, të thellojë lidhjet e nivelit të lartë, të promovojë shkëmbimet e bashkëpunimin ndërmjet qeverive dhe organeve ligjvënëse të të dy vendeve dhe të nxitë zhvillimin më të shpejtë dhe më të mirë të marrëdhënieve me Shqipërinë. “Në katër vjetët e fundit, unë kam kaluar një periudhë shumë të ngjeshur dhe të paharrueshme në Shqipëri, kam bërë përpjekje për zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Shqipëri dhe kam marrë mbështetje të fuqishme nga kryeministri, kryeparlamentarja, ministrat dhe qarqet e ndryshme të Shqipërisë. Ndihem shumë krenar dhe i nderuar. Vitet e fundit, marrëdhëniet dypalëshe kanë ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm, vëllimi i tregtisë dypalëshe ka ardhur në rritje vit pas viti, shkëmbimet kulturore e njerëzore janë bërë gjithnjë e më aktive dhe projektet e bashkëpunimit konkret po zbatohen në mënyrë të qëndrueshme. Gjatë kësaj periudhe, ndërsa kam pasur lidhje të ngushta me qeverinë dhe Kuvendin, kam qenë edhe në universitete, ndërmarrje dhe zona të ndryshme të Shqipërisë, duke zhvilluar shkëmbime të thella dhe duke krijuar miqësi të çmuara. Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi dhe unë shpresoj që qeveria shqiptare dhe qarqet e ndryshme të vazhdojnë t'u kushtojnë vëmendje marrëdhënieve kino-shqiptare, të nxisin zhvillimin e miqësisë tradicionale në periudhën e re dhe të sjellin përfitime për të dy popujt,” vuri në dukje z. Zhou.

    

Kryeministri Edi Rama shprehu falënderime për punët e shumta dhe të frytshme të bëra nga ambasadori Zhou gjatë mandatit të tij. Ai tha që Shqipëria dhe Kina kanë një histori të veçantë. “Edhe pse përballojmë sfida të ndryshme, Shqipëria i kushton gjithmonë rëndësi bashkëpunimit miqësor me palën kineze. Marrëveshja dypalëshe për heqjen e vizave ka rëndësi historike dhe ka hapur një territor të ri për lidhjet dhe bashkëpunimin e ngushtë Shqipëri-Kinë. Zoti ambasador ka bërë përpjekje eksploruese, të sinqerta e praktike dhe ka pasur shkëmbime të sinqerta me qarqet e ndryshme shqiptare, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për trashëgimin dhe zhvillimin e miqësisë shqiptaro-kineze. Zoti ambasador do të jetë gjithmonë një mik i mirë i Shqipërisë,” theksoi Rama.

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla u shpreh nga ana e saj që miqësia tradicionale shqiptaro-kineze ka bazë të thellë dhe bashkëpunimi konkret dypalësh ka perspektivë të gjerë. Shqipëria është e gatshme të përpiqet bashkë me Kinën për të thelluar shkëmbimet ndërmjet organeve ligjvënëse dhe për të nxitur zhvillimin e vazhdueshëm dhe të shëndetshëm të marrëdhënieve shqiptaro-kineze. Ndërsa zv.kryeministrja Balluku dhe zonjat e tjera ministre shprehën shpresën që Shqipëria dhe Kina do të shtojnë lidhjet dhe kontaktet lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të rëndësishme ndërkombëtare, si edhe do të nxitin bashkëpunimin konkret në fushat e tregtisë, energjetikës, infrastrukturës dhe turizmit, për të marrë më shumë fryte konkrete. “Zoti ambasador ka arritur rezultate të spikatura gjatë punës së vet në Shqipëri dhe i urojmë të ketë sukses edhe në postin e tij të ri,” u shprehën zyrtarët shqiptarë.

    

Ambasadori Zhou gjithashtu zhvilloi takim lamtumire me kryebashkiakun z. Veliaj, ku diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit të qeverisjes vendore midis dy vendeve, etj.

Suggest To a Friend:   
Print