Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori kinez Zhou Ding viziton qytetet Gjirokastër e Sarandë
2023-02-25 06:00

Nga 21 deri më 23 shkurt, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi qytetet Gjirokastër e Sarandë në Jug të Shqipërisë, ku u takua me kryebashkiakun e Gjirokastrës Flamur Golemi dhe të Sarandës Adrian Gurma, si edhe me personalitete të qarqeve të ndryshme të këtyre dy qyteteve. Të dy palët shkëmbyen mendime për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në turizëm.

    

Ambasadori Zhou Ding u shpreh se Gjirokastra dhe Saranda kanë histori e kulturë të lashtë, peizazhe të bukura natyrore dhe burime të pasura turistike.  Qyteti i Gjirokastrës dhe Butrinti në Sarandë janë përfshirë në listën e trashëgimive kulturore botërore të UNESCO-s. Gjirokastra është edhe qyteti ku është xhiruar filmi "Ngadhënjim mbi vdekjen", që njihet nga shumë kinezë. Shumë familje në këto dy qytete kanë histori prekëse të shkëmbimeve me popullin kinez. Kina dhe Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e heqjes së ndërsjellë të vizave dhe memorandumin e bashkëpunimit turistik, duke promovuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat dhe shkëmbimet njerëzore, vuri në dukje ambasadori Zhou, duke shprehur shpresën se institucionet turistike të të dy vendeve do të shfrytëzojnë mundësinë për të forcuar lidhjet e për të çuar përpara bashkëpunimin turistik Kinë-Shqipëri.

Kryebashkiakët Flamur Golemi dhe Adrian Gurma shprehën mirëpritjen për vizitën e ambasadorit Zhou Ding. Ata i njohën mysafirët kinezë me gjendjen e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe sektorët karakteristikë në këto dy qytete. Sipas tyre, heqja e ndërsjellë e vizave dhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit turistik do t'u sjellin mundësi të reja shkëmbimeve njerëzore dhe bashkëpunimit turistik ndërmjet të dy vendeve. Kina është burimi më i madh i turizmit jashtë vendit në botë. Në vitet '60-'70 të shekullit të kaluar, Kina i dha Shqipërisë ndihmë të madhe, duke lënë burime të veçanta turistike për tërheqjen e turistëve kinezë. Të dy qytetet dëshirojnë të mbajnë kontakte të ngushta me ambasadën e Kinës në Shqipëri për të hartuar itinerare turistike tërheqëse për turistët kinezë, duke u ofruar atyre një përvojë të paharrueshme turistike. Njëkohësisht, ata mirëpritën zhvillimin e Javës së Kulturës Kineze e të veprimtarive të tjera, për t'u shfaqur banorëve vendorë magjinë e veçantë të kulturës kineze.




Suggest To a Friend:   
Print