Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori Zhou Ding jep intervistë për marrëdhëniet kino-shqiptare dhe gjendjen e brendshme në Kinë
2023-01-20 05:00

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding dha të enjten intervista të veçanta për Redaksinë e Gjuhës Shqipe dhe “News Radio” të CMG-së mbi marrëdhëniet Kinë-Shqipëri, marrëveshjen e heqjes së ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, optimizimin e politikave të kontrollit epidemik në Kinë etj. Në vijim janë pikat kryesore të këtyre intervistave.

1.  Mbi marrëdhëniet Kinë-Shqipëri

Në vitin 2022, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë ruajtur një vrull zhvillimi të shëndetshëm e të qëndrueshëm, dhe shkëmbimet në shumë fusha kanë dhënë fryte të shumta. Në bazë të nismës “Një brez, një rrugë” dhe mekanizmit të “Bashkëpunimit Kinë - Vendet e Evropës Qendrore e Lindore”, të dy vendet kanë forcuar më tej besimin politik dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin konkret, duke bërë përparime të reja. Liderët e të dy vendeve kanë mbajtur komunikim të mirë dhe presidenti kinez Xi Jinping e presidenti shqiptar Bajram Begaj kanë dërguar disa mesazhe të ndërsjella. Po ashtu, zyrtarët e nivelit të lartë të të dy vendeve kanë arritur mjaft konsensuse për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe e bashkëpunimin ekonomiko-tregtar, dhe shkëmbimet kulturore-njerëzore u nxitën në mënyrë të qëndrueshme. Kina vazhdon të jetë partnerja kryesore tregtare e Shqipërisë. Vjet, vëllimi i tregtisë ndërmjet dy vendeve arriti në 770 milionë dollarë, me një rritje prej 17.6 % në krahasim me vitin 2021. Krahas marrëveshjes së heqjes reciproke të vizave Kinë-Shqipëri të saponënshkruar, të dyja palët po promovojnë edhe negociimin dhe nënshkrimin e dokumenteve të bashkëpunimit në fushën e arsimit e turizmit midis Kinës dhe Shqipërisë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ambasada bashkorganizoi me sukses me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë dhe Bashkinë e Tiranës një sërë aktivitetesh për "Javën e kulturës kineze", si përjetimi i taiji-së, Ekspozita e Fotografive Historike Kino-Shqiptare, shkëmbimet artistike kombëtare kino-shqiptare, festivali i kuzhinës kineze dhe mbrëmja e valleve dhe e këngëve kineze, duke u ofruar miqve shqiptarë pasurinë dhe përvojën e larmishme të kulturës kineze, duke u mirëpritur nga miqtë shqiptarë dhe duke promovuar më tej shkëmbimet njerëzore dhe lidhjen e zemrave mes të dy popujve. Shumë skena prekëse mbeten ende në mendjen time, gjë që më mbush plot me besim për të ardhmen e marrëdhënieve kino-shqiptare.

Në vitin e kaluar, duke mbajtur ndërveprim të ngushtë me drejtuesit shqiptarë dhe departamente të ndryshme qeveritare, kam vizituar gjithashtu shumë qytete shqiptare dhe kam shkuar në universitete, ndërmarrje, lagje të ndryshme etj., duke ndërvepruar me njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe duke promovuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme. Në emër të ambasadës u kam dhuruar shumë herë gjëra të përdorimit të përditshëm grupeve të pafavorizuara vendore dhe institucioneve të mirëqenies, duke demonstruar miqësinë e popullit kinez për popullin shqiptar. Qoftë në qytete a në fshatra, në universitete a në lagje, u preka thellë nga miqësia, mikpritja e ngrohtë dhe shpresat e popullit shqiptar për marrëdhëniet tona.

2023-shi është viti i parë i realizimit të planit të zhvillimit të përcaktuar në Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës. Besoj se bashkëpunimi kino-shqiptar do të arrijë më shumë fryte. Në vitin 2023, ambasada kineze do të vazhdojë të mbajë komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me të gjitha sferat e jetës në Shqipëri dhe të punojë së bashku për të nxitur zhvillimin më të mirë dhe më të shpejtë të marrëdhënieve dypalëshe, në mënyrë që të përfitojnë të dy vendet dhe të dy popujt.

Më 16 janar, unë, si përfaqësues i qeverisë kineze, dhe zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Megi Fino, në emër të qeverisë shqiptare, firmosëm zyrtarisht marrëveshjen e heqjes reciproke të vizave. Ndihem shumë i nderuar që pata mundësi të marr pjesë në këtë ngjarje historike. Në vitin 2018, qeveria shqiptare zbatoi në mënyrë të njëanshme politikën e heqjes së vizave për shtetasit kinezë gjatë sezonit turistik dhe në fund të vitit 2019 filloi politika e heqjes së vizave gjatë gjithë vitit. Që atëherë, të dyja palët kanë komunikuar për nënshkrimin e marrëveshjes së ndërsjellë të përjashtimit të vizave. Në tetor 2021, këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i atëhershëm i Kinës Wang Yi vizitoi Shqipërinë, gjë që i dha një shtysë të re thellimit të shkëmbimeve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve në fusha të ndryshme. Pas përpjekjeve të përbashkëta, më në fund u bë realitet nënshkrimi i marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave.

Kjo është një dhuratë për popullin shqiptar në fillim të vitit të ri 2023, është gjithashtu një tjetër mishërim i gjallë i miqësisë tradicionale ndërmjet Kinës e Shqipërisë dhe një ngjarje monumentale në marrëdhëniet kino-shqiptare. Kemi besimin se hyrja në fuqi e “Marrëveshjes” do të nxisë në mënyrë efektive shkëmbimet dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushat e ekonomisë, tregtisë, turizmit, kulturës e arsimit dhe do të thellojë më tej miqësinë ndërmjet dy popujve. hqipëria ka pamje piktoreske, një klimë të këndshme dhe shumë objekte të trashëgimisë kulturore botërore, ndaj ka burime unike turistike. Me përmirësimin e situatës së COVID-19 në mbarë botën, besohet se më shumë turistë kinezë do të vizitojnë Shqipërinë dhe do të japin kontribut më të madh në rimëkëmbjen e industrisë së turizmit dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Në të njëjtën kohë, besoj se gjithnjë e më shumë miq shqiptarë do të udhëtojnë drejt Kinës.

2. Mbi situatën e tanishme të Kinës

Në vitin 2022, ekonomia e Kinës e kapërceu ndikimin e epidemisë dhe u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. PBB-ja vjetore i kaloi 120 trilionë juanët, me një rritje prej 3%, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në stabilizimin e ekonomisë botërore dhe zhvillimin e tregtisë globale. Bazuar në analizat dhe gjykimet shkencore dhe racionale, qeveria kineze optimizoi dhe rregulloi masat e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në fund të vitit të kaluar. Aktualisht, shumë provinca dhe qytete në Kinë e kanë kaluar kulmin e epidemisë dhe kthimi në normalitet i prodhimit dhe jetës është përshpejtuar. Besohet se gjallëria ekonomike dhe shoqërore e Kinës do të çlirohet plotësisht në vitin e ri dhe roli i saj si një "stabilizues" i rimëkëmbjes ekonomike botërore dhe një "motor" i rritjes do të theksohet më tej, gjë që do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella kino-shqiptar. Në vitin e ri, Kina do të vazhdojë t'i përmbahet politikës së jashtme të pavarur paqësore dhe do të vijojë të jetë ndërtuese e paqes botërore, kontribuuese në zhvillimin global dhe mbrojtëse e rendit ndërkombëtar.

Pas pak ditësh do të hyjmë në Vitin e Ri Hënor të Lepurit. Në kulturën tradicionale kineze, "lepuri" simbolizon mirësinë, pastërtinë e ndjeshmërinë dhe paralajmëron shëndetin, bukurinë dhe shpresën. Në këtë moment të bukur, në emër të ambasadës kineze në Shqipëri, dëshiroj t'u uroj të gjithë miqve shqiptarë një Vit të Ri Kinez dhe Vit të Lepurit të mbarë! U uroj lulëzim dhe begati Kinës dhe Shqipërisë!

Suggest To a Friend:   
Print