Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori kinez Zhou Ding takon presidentin shqiptar Bajram Begaj
2022-10-08 21:00

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding u takua të premten me presidentin shqiptar Bajram Begaj. Përfaqësuesi diplomatik i Kinës e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për dërgimin e urimeve presidentit kinez Xi Jinping dhe e njohu atë me aktivitetet e Javës së Kulturës Kineze dhe të Ditës Kombëtare të Kinës që u zhvilluan ditët e fundit në Tiranë. Z. Zhou u shpreh se Kina e Shqipëria kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe se tani marrëdhëniet e bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve po ecin mbarë. “Jam i gatshëm të bëj përpjekje së bashku me z. President për ta nxitur këtë bashkëpunim të arrijë më shumë rezultate në të mirë të të dy popujve,” tha ambasadori Zhou gjatë takimit.

Ndërsa presidenti shqiptar Bajram Begaj i shprehu përsëri popullit kinez urimet më të mira me rastin e Ditës Kombëtare, dhe përgëzoi për kurorëzimin me sukses të Javës së Kulturës Kineze. Z. Begaj tha se aktivitetet, si ekspozita e fotografive historike, shkëmbimet ndërmjet artistëve popullorë dhe shfaqjet kulturore, janë në favor të thellimit të miqësisë së ndërsjellë dhe të shtimit të njohjes nga qarqet e ndryshme të Shqipërisë të Kinës dhe të historisë e së tashmes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai shprehu edhe gatishmërinë që të përpiqet së bashku me ambasadorin kinez për të dhënë kontribut në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme.


Suggest To a Friend:   
Print