Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasada kineze në Shqipëri organizon aktivitetin e shfaqjes së kulturës kineze " Për të Mirëpritur Ditën Kombëtare Kineze"
2022-10-01 23:00

Mbrëmjen e 30 shtatorit u përmbyll në sheshin “Skënderbej” në Tiranë Java e Kulturës Kineze. Aktiviteti kulmoi me panairin e kulinarisë dhe një shfaqje të valleve tradicionale kineze, të organizuar nga Ambasada e Kinës në Shqipëri, duke ngrohur atmosferën me hijeshinë e lëvizjeve dhe performancës nën ritmet e muzikës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ambasadori i Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro, zv.kryebashkiakja e Tiranës, Anuela Ristani, përfaqësues nga qarqe të ndryshme dhe mijëra qytetarë e turistë.

    

Me një shesh të zbukuruar me fenerë të kuq dhe flamuj të Kinës, nën shoqërimin e muzikës tradicionale kineze, të rinj shqiptarë me veshje tradicionale kineze dhe aktorë të veshur me kostume panda dhe tigër, i përcollën një atmosferë të ngrohtë vizitorëve. Ushqime të shumëllojshme si Jiaozi (ravioli kinez), makarona të skuqura, rrotull brumi të mbushur e të fërguar, oriz me tetë përbërës dhe ëmbëlsira Saqima, shfaqën larminë e kulinarisë kineze. Ndërkohë, performanca e arteve si prerje e letrës, kaligrafi, ceremoniali i përgatitjes së çajit, tërhoqën shumë qytetarë për t’i provuar. Përveç këtyre, në unison me iniciativën e qeverisë shqiptare për kufizimin e përdorimit të produkteve plastike, ambasadori Zhou dhe ministrja Kumbaro shpërndanë në shesh një mijë qese të riciklueshme.

Në mbrëmje, artistët kinezë bashkë me Ansamblin shqiptar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ofruan një shfaqje të bukur artistike. Vallet si “Dashuria ndaj lules së lotusit”, “Interpretim i Pipa-s”, meloditë “Pranverë në malin e mbushur me dëborë” dhe “Diell i artë në Pekin”, të interpretuara me veglat tradicionale kineze si Guzheng, Erhu etj., e njohën publikun me madhështinë e muzikës kineze. Ndërsa këngëtarët shqiptarë kënduan në gjuhën kineze “Romancë në Kangding” dhe me pas, së bashku me homologët e tyre kinezë intepretuan melodinë “Hëna përfaqëson zemrën time”, duke transmetuar plotësisht magjinë e përzierjes së arteve kineze dhe asaj europiane dhe ndezur në kulm atmosferën e mbrëmjes.

    

Të ftuarit dhe publiku uruan Ditën Kombëtare të Kinës, duke thënë se ishte një festë e mahnitshme e kulturës kineze, e cila tregoi edhe një herë sharmin dhe thellësinë e kulturës kineze. Mediat lokale si Radio Televizioni Shqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare bënë raportime të thella mbi ngjarjen.

Suggest To a Friend:   
Print