Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
​Ambasadori Zhou Ding merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të Shkollës Dimërore për Gjuhën e Kulturën Kineze
2022-06-07 16:10

Ambasadori kinez në Tiranë Zhou Ding mori pjesë të hënën në ceremoninë e ndarjes së certifikatave të Shkollës Dimërore për Gjuhën e Kulturën Kineze dhe u dorëzoi certifikatat studentëve. Dekania e Fakutetit të Gjuhëve të Huaja, prof. dr. Esmeralda Kromidha, dhe drejtorët e palës kineze dhe asaj shqiptare të Institutit “Konfuci”, si edhe mbi 10 profesorë e studentë, ishin të pranishëm në këtë ceremoni.

      

Ambasadori Zhou tha se gjatë 20 ditëve, çdo student dëgjoi një sërë leksionesh të larmishme për kulturën kineze, arriti të marrë njohuri të gjera të historisë, filozofisë, letërsisë, muzikës, kuzhinës kineze etj., dhe vizitoi ndërmarrjet e financuara nga Kina në Shqipëri, duke fituar dije dhe aftësi të kuptuari gjatë këtij udhëtimi kulturor. “Kinezishtja është gjuha më e folur në botë, një nga gjashtë gjuhët e punës të Kombeve të Bashkuara dhe çelësi për hapjen e derës drejt kulturës së gjerë dhe të thellë kineze. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja do të fusë në kurrikula gjuhën kineze si lëndë me zgjedhje. Kjo do të shënojë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e këtij Fakulteti,” theksoi ambasadori Zhou në fjalën e tij.

Përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri u shpreh më tej se, përballë sfidave të tanishme të paprecedenta ku gjendet shoqëria njerëzore, Kina ka paraqitur Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Zhvillimit Global, dhe është e gatshme për të kapërcyer vështirësitë së bashku me vendet e tjera të botës. Kina ka qenë gjithmonë një promotore dhe kontribuese për paqen botërore e përparimin njerëzor, ka ndjekur gjithmonë një politikë të jashtme të pavarur dhe ka praktikuar në mënyrë aktive multilateralizmin. Kina e vlerëson miqësinë tradicionale me Shqipërinë dhe, si ekonomia e dytë më e madhe në botë, do të ofrojë më shumë mundësi zhvillimi për të gjitha vendet e botës, përfshirë Shqipërinë, tha z. Zhou. Ai shprehu shpresën se studentët do të mësojnë më shumë për Kinën e vërtetë, do të trashëgojnë miqësinë kino-shqiptare dhe do të promovojnë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Ambasadori Zhou i dhuroi gjithashtu Fakultetit të Gjuhëve të Huaja vepra të artit popullor kinez, si letërprerja, duke u shprehur se këto vepra tregojnë dëshirën e popullit kinez për një jetë më të mirë dhe mishërojnë vlerën e synimit të harmonisë ndërmjet njeriut e natyrës dhe harmonisë ndërmjet njerëzve. “Shpresoj këto vepra arti mund të sjellin më shumë atmosferë kulturore kineze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja”, shtoi ambasadori.

      

Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. dr. Esmeralda Kromidha, u shpreh se prapa gjuhës kineze qëndron një komb madhështor me kulturë të lashtë. Ajo shprehu shpresën që studentët do të zgjerojnë horizontin e tyre, do të kultivojnë mendjen dhe do të thellojnë njohjen e historisë, kulturës e të artit kinez, si edhe të realitetit në Kinë.

Studentët thanë nga ana e tyre se fakti që ambasadori Zhou u dorëzoi personalisht certifikatat e përfundimit të Shkollës Dimërore pën Gjuhën e Kulturën Kineze dhe zhvilloi një bisedë të përzemërt me ta i ka frymëzuar. Në të ardhmen, ata do të punojnë më shumë për të mësuar gjuhën kineze, për të kuptuar më thellë Kinën e kulturën kineze dhe për të kontribuuar në promovimin e miqësisë kino-shqiptare. 


Suggest To a Friend:   
Print