Home > China-Albania > China-Albania Exchanges
Ambasadori i Kinës në Shqipëri viziton Korçën
2022-05-04 23:12

Të hënën dhe të martën, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi qarkun e Korçës në Shqipërinë Juglindore, ku u takua me kryetarin e Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo, kryetarin e Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu, rektorin e Universitetit "Fan Noli" të Korçës Dhimitri Bello etj. Z. Zhou vizitoi edhe kompaninë e njohur shqiptare "Morava".

     

Ambasadori Zhou u shpreh se Korça ka burime të pasur natyrore dhe një histori të gjatë. Banorët e këtushëm janë punëtorë dhe miqësorë. Korça ka një potecial të madh zhvillimi. Në vitet '60-'70 të shekullit të kaluar, shumë specialistë e inxhinierë nga Kina erdhën në Korçë për të dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik e shoqëror vendor. Në situatën e tanishme, Korça mund të thellojë më tej shkëmbimet me krahina të ndryshme të Kinës dhe të zhvillojë bashkëpunim me to në fushat e tregtisë së prodhimeve bujqësore, të arsimit të lartë, të kulturës, të shkencës etj.

Z. Zhou tha gjithashtu se Kina është ekonomia e dytë më e madhe dhe vendi më i madh i tregtisë së mallrave në botë. Në 3-mujorin e parë të këtij viti, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës e Shqipërisë u rrit shumë dhe eksportet shqiptare në Kinë u shtuan 67 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çka tregon perspektivën e gjerë të bashkëpunimit dypalësh. Të dyja vendet nënshkruan një protokoll për inspektimin dhe karantinimin e mjaltit dhe bulmetit shqiptar të eksportuar në Kinë. Pala kineze dëshiron që prodhimet bujqësore shqiptare me cilësi të lartë të hyjnë shpejt në tregun kinez dhe shpreson që bashkëpunimi kino-shqiptar në fusha të ndryshme të arrijë rezultate të pasura.

     

Pala shqiptare shprehu mirëpritje për vizitën e ambasadorit Zhou dhe dëshirën për vijimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo u shpreh se Kina ndodhet në një nivel udhëheqës në botë në krijimin e risive tekniko-shkencore dhe në fusha të tjera. Korça është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me palën kineze në fushat e shkencës e të teknologjisë, tregtisë, kulturës, turizmit etj. Ndërsa kreu i Bashkisë së Maliqit Gëzim Topçiu theksoi se prodhimet bujqësore nga zona e Korçës janë me cilësi të lartë dhe shprehu shpresën që këto prodhime do të hyjnë sa më parë në Kinë. Nga ana e tij, rektori Dhimitri Bello u shpreh se Universiteti "Fan Noli" i Korçës dëshiron të inkurajojë pedagogët dhe studentët e vet të mësojnë gjuhën e kulturën kineze dhe është i gatshëm të krijojë bashkëpunim të formave të ndryshme me shkollat e larta kineze.

Gjatë vizitës në Korçë, ambasadori Zhou dha edhe një intervistë të përbashkët për RTSh-në, "News 24" etj.


Suggest To a Friend:   
Print