Më 11 janar u zhvilluan seminari mbi bashkëpunimin ekonomiko-tregtar midis Kinës e Shqipërisë për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe mbledhja promovuese mbi Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës, të bashkorganizuara nga ambasada e Kinës në Shqipëri dhe shoqata "Biznes Albania". Profesori i Shkollës së Administrimit "Guanghua" të Universitetit të Pekinit Wu Changqi dhe ekonomisti i njohur shqiptar e profesor i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës Petraq Milo mbajtën ligjërata. Po ashtu fjalime mbajtën edhe i ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Bai Yunbin dhe presidenti i "Biznes Albania" Luan Bregasi. Këshilltari ekonomiko-tregtar i ambasadës kineze Lian Gang bëri prezantimin e Ekspozitës së 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës.
Në veprimtari ishin të pranishëm mbi 70 veta, si kryetari i Shoqatës Kulturore "Alb-China" Iljaz Spahiu, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë Spartak Nano, përfaqësues nga departamentet përkatëse qeveritare, qarqet e biznesit, media, kompanitë kineze në Shqipëri etj.
I ngarkuari i përkohshëm me punë i ambasadës kineze në Shqipëri Bai Yunbin u shpreh në fjalimin e tij se nisma "Një brez, një rrugë" është një masë e shënuar e Kinës për zgjerimin e hapjes në epokën e re dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjatë pesë vjetëve, mbi bazën e parimit "Diskutim, ndërtim dhe ndarje e përbashkët e përfitimeve",
Kina ka nënshkruar dokumente bashkëpunimi me mbi 150 vende e organizata ndërkombëtare dhe një grup projektesh të mëdha janë duke u zbatuar. Vëllimi i tregtisë së mallrave midis Kinës dhe vendeve përkatëse të nismës "Një brez, një rrugë" i ka kaluar 5 trilionë dollarët amerikanë dhe investimet e drejtpërdrejta kineze në këto vende kanë arritur mbi 60 miliardë dollarë. Shqipëria është një vend përgjatë "Një brez, një rrugë". Kina dhe Shqipëria nënshkruan në vitin 2017 dokumentin e bashkëpunimit për ndërtimin e përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin në fushat ekonomiko-tregtare, kulturore, arsimore, shëndetësore, të instituteve të studimit të politikave, të bashkëpunimit ndërmjet pushteteve vendore, të burimeve njerëzore etj. Në vitet e fundit, vëllimi i tregtisë midis Kinës e Shqipërisë po rritet më tej. Investimet kineze në Shqipëri kanë arritur mbi 800 milionë dollarë dhe Kina është bërë një nga vendet kryesore investuese në Shqipëri. Një grup projektesh madhore, si aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, kompania e naftës "Bankers Petroleum" etj. luajnë rol të rëndësishëm për nxitjen e punësimit, rritjen e të ardhurave nga taksat, krijimin e mirëqenies për banorët etj. Në vitin 2018, 17 mijë turistë kinezë e vizituan Shqipërinë, me një rritje vjetore 60%, duke treguar potenciale të mëdha biznesi. Sivjet është 70-vjetori i themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Pala kineze do të zhvillojë forumin e 2-të të nivelit të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar për nismën "Një brez, një rrugë", Ekspozitën e 2-të Ndërkombëtare të Importit të Kinës etj., dhe do të nxitë zhvillimin e mëtejshëm të nismës "Një brez, një rrugë". Bai Yunbin shprehu shpresën që Kina dhe Shqipëria do të shfrytëzojnë rastin për të nxitur së bashku zhvillimin më të mirë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në epokën e re, për të arritur përfitime të ndërsjella e suksese të përbashkëta dhe për t'u sjellë lumturi popujve të të dy vendeve.
Presidenti i "Biznes Albania" Luan Bregasi u shpreh se "Një brez, një rrugë" është një nismë e madhe me ndikim botëror, që ofron një platformë shumë të mirë për bashkëpunimin shqiptaro-kinez dhe mes Kinës dhe vendeve të tjera të Evropës Qendore e Lindore. Në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", ndërmarrjet shqiptare dhe ato kineze kanë një vullnet të fortë bashkëpunimi. Të dy palët mund të thellojnë më tej bashkëpunimin në fushat e infrastrukturës, të energjetikës, të turizmit, të bujqësisë etj. Shqipëria është një partnere bashkëpunimi tërheqëse dhe e besueshme, u shpreh Bregasi, duke shtuar se qeveria shqiptare duhet ta shfrytëzojë pozicionin e veçantë gjeografik të vendit, gjendjen e qëndrueshme makro-ekonomike dhe hovin e rritjes ekonomike të tij, për të paraqitur më pozitivisht dhe më konkretisht programet e investimeve, me qëllim shtimin e interesit të investuesve kinezë.
Në ligjëratën e vet me titull "Çfarë përfitojnë vendet e ndryshme nga nisma 'Një brez, një rrugë'", profesor Petraq Milo bëri një analizë të thellë mbi globalizimin ekonomik, ndërkombëtarizimin e monedhës kineze renminbi dhe bashkëpunimin e rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Kinës, duke shpjeguar në mënyrë sistemore ndikimet e rëndësishme të nismës "Një brez, një rrugë". Prof. Milo vuri në dukje se "Një brez, një rrugë" mbulon tre kontinente: Evropën, Azinë dhe Afrikën. Kina ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për nismën "Një brez, një rrugë" me shumicën e ekonomive të mëdha dhe organizatave ndërkombëtare të këtij rajoni. Palët e ndryshme do të realizojnë zhvillimin me përfitime të ndërsjella nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, shfrytëzimit të burimeve energjetike dhe integrimit të prodhimit. Nisma "Një brez, një rrugë" është mundësi për ndërkombëtarizimin e renminbi-së, e cila do të luajë rol më të madh në ruajtjen e sigurisë financiale globale, vuri në dukje eksperti shqiptar i ekonomisë. Shqipëria ka burime të pasura minerare dhe është vend në zhvillim me bujqësinë si sektori kryesor, prandaj ka një infrastrukturë të dobët në përgjithësi dhe po zhvillohet në procesin e industrializimit. Shqipëria e Kina mund të forcojnë bashkëpunimin në sektorin e prodhimit me teknologji të lartë, sektorët e gjelbër, logjistikën tregtare, financa, energji etj., u shpreh ai.
Në ligjëratën me temë "Nisma 'Një brez, një rrugë' dhe praktika më e mirë e ndërkombëtarizimit të ndërmarrjeve kineze", profesori Wu Changqi i njohu pjesëmarrësit me përvojën e sfidat e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe të ndërkombëtarizimit të ndërmarrjeve kineze. Sipas profesorit Wu, nisma "Një brez, një rrugë" është një nismë ndërkombëtare në bazë të përvojës së suksesshme 40-vjeçare të Reformës e Hapjes me botën e jashtme të Kinës dhe të praktikës aktive të kompanive kineze për zhvillimin jashtë vendit. Pas fillimit të zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë", ndërmarrjet kineze kanë qenë gjithmonë praktikuese të rëndësishme të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella. Megjithëse midis Kinës e vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" ka dallime të mëdha historike, kulturore, të sistemit shoqëror, të hapësirës gjeografike, të nivelit të zhvillimit, të mjedisit të tregut etj., kompanitë kineze kanë kryer shumë eksplorime e prova të dobishme, duke grumbulluar një përvojë të çmuar për përfitime të përbashkëta. Në të ardhmen, sfida e kompanive kineze mbetet mbajtja e përgjegjësisë shoqërore dhe realizimi i zhvillimit të përbashkët me vendet ku e ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Në takim, këshilltari i ambasadës Lian Gang foli lidhur me pjesëmarrjen e kompanive shqiptare në Ekspozitën e 1-rë të Importit të Kinës dhe me gjendjen e paraqitjes së kërkesave për pjesëmarrjen në edicionin e dytë të kësaj ekspozite. Ai i mirëpriti ndërmarrjet shqiptare të marrin pjesë aktivisht në ekspozitë për t'u zgjeruar në tregun kinez, duke nxitur zhvillimin e shëndetshëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar kino-shqiptar.